foto3
download
foto1
foto2
lahuta
photo1
previous arrow
next arrow

Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore është krijuar me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 142 datë 27.03.1995 “Për krijimin e QKIPK”, si një projekt me donacion fillestar të Bankës Botërore në vitin 1995.

Vitet 1995 – 1998 shërbyen vetëm si fazë eksperimentale në kartelizimin dhe katalogimin e trashëgimisë kulturore sepse infrastruktura e ngritur kishte baza teknike të nivelit të ulët, pa kapacitetet e nevojshme për regjistrimin e të dhënave në mënyrë dixhitale dhe ishte i vështirë sigurimi i katalogimit bashkëkohor të të dhënave dhe shfrytëzimin e tyre për qëllime identifikimi, menaxhimi dhe studimi. Meqënëse mungonte përvoja për kartelizimin dhe katalogimin informatik të objekteve të trashëgimisë u hartua kartela tip, e cila me vonë u përmirësua, duke shtuar tregues të tjerë shkencorë.

Në vitin 1999 u realizua rinovimi i bazës teknike e teknologjike me fondet e buxhetit të shtetit dhe u krijua Programi softuerik “Onufri”. Një grup specialistësh italianë mundësuan trajnimin e punonjësve të institucioneve kombëtare e lokale, që merreshin me mbrojtjen dhe administrimin e trashëgimisë kulturore. Në vitin 2002 u bë kalimi i të dhënave në bazën e re të të dhënave, bazë e cila është azhornuar disa herë duke i shtuar funksionalitetet e nevojshme në zbatim të ligjit dhe të mirëadministrimit të pasurive kulturore shqiptare.

Me Ligjin nr. 27/2018 “Per Trashegimine Kulturore dhe Muzete”, QKIPK, ne baze te nenit 32, u transformua ne Institutin Kombetar te Regjistrimit te Trashegimise Kulturore, si institucion kombëtar i specializuar i trashëgimisë kulturore në varësi të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore.

IKRTK-ja ka për mision krijimin, ruajtjen dhe përditësimin e Regjistrit Kombëtar të Pasurive
Kulturore, në formë elektronike dhe të shkruar. IKRTK-ja, në funksion të përmbushjes së misionit të vet, bashkëpunon me institucionet e shtetit shqiptar, organet e policisë, institucionet doganore si dhe institucionet ndërkombëtare në luftën kundër trafikimit të pasurive kulturore.

IKRTK-ja ka për detyrë regjistrimin, katalogimin informatik, dokumentimin, vlerësimin,
promovimin, mbikëqyrjen dhe monitorimin e respektimit të të drejtave të pronësisë dhe të lëvizjes së pasurive kulturore kombëtare. IKRTK-ja monitoron dhe koordinon punën me njësitë territoriale në fushën e pasurive kulturore.

IKRTK-ja u ofron shërbime organeve të administratës shtetërore qendrore, pushtetit vendor, institucioneve shkencore, kulturore apo fetare, personave fizikë dhe juridikë privatë për evidentimin, regjistrimin dhe katalogimin e pasurive kulturore.

IKRTK-ja ka për kompetencë:
a) Të regjistrojë dhe të dokumentojë të gjitha pasuritë kulturore, materiale dhe jomateriale, si dhe
pasuritë e peizazhit në pronësi publike e private në territorin e Republikës së Shqipërisë;
b) Të hartojë platformën për regjistrimin e të gjitha pasurive kulturore të luajtshme e të
paluajtshme, që ruhen nga rrjeti muzeor i vendit, nga galeritë e artit, personat privatë, institucionet e
specializuara vendore e kombëtare dhe bashkësitë fetare të regjistruara me ligj, për krijimin dhe
përditësimin e Regjistrit Kombëtar të Pasurive Kulturore;
c) Të administrojë Katalogun Kombëtar të Pasurive Kulturore, nëpërmjet sistemit informatik
kombëtar të administrimit të trashëgimisë kulturore;
ç) Të administrojë katalogun e fondit muzeor kombëtar;
d) Të administrojë bazën shtetërore të të dhënave të pasurive kulturore;
dh) Të administrojë bazën e të dhënave të pasurive kulturore të vjedhura;
e) Të zhvillojë metodologjinë mbi dokumentimin e katalogimin e pasurive kulturore, si dhe të
koordinojë bashkëpunimin me njësitë territoriale në fushën e pasurive kulturore;
ë) Të lëshojë certifikata regjistrimi të pasurive kulturore, të luajtshme e të paluajtshme;
f) Të hartojë dhe të mbajë regjistrin e ekspertëve vlerësues të pasurive kulturore të luajtshme;
g) Të bashkëpunojë me njësitë e vetëqeverisjes vendore, institucionet e tjera publike dhe private,
që kanë në administrim pasuri kulturore, për të siguruar katalogimin e pasurive kulturore dhe të koordinojë aktivitetet në këtë fushë;
gj) Të asistojë ministrinë në ushtrimin e kompetencave për zbatimin e politikave qeveritare në
fushën e trashëgimisë kulturore për funksionet që IKRTK-ja ka kompetencë;
h) Të akordojë licencat e eksportit, në pajtim me parashikimet e këtij ligji;
i) Të mbajë një regjistër kombëtar të licencave të eksportit të pasurive kulturore;
j) Të mbikëqyrë dhe të monitorojë respektimin e të drejtave të pronësisë e të lëvizjes së pasurive
kulturore kombëtare;
k) Të asistojë apo të denoncojë pranë inspektoratit kombëtar përgjegjës për trashëgiminë kulturore;
l) Të mbikëqyrë zbatimin apo shkeljen e procedurave (regjimit) të qarkullimit kombëtar dhe
ndërkombëtar të certifikuar të pasurive kulturore të luajtshme;
ll) Të kryejë çdo funksion tjetër të parashikuara në këtë ligj.

IKRKT-ja ka kompetencë regjistrimin, dokumentimin, vlerësimin, ruajtjen, monitorimin e
qarkullimit, shërbimin on-line të regjistrimit në fushën e pasurive kulturore në pronësi publike dhe private në Republikën e Shqipërisë.

Pranë IKRTK-së krijohen dhe funksionojnë zyrat rajonale të IKRTK-së dhe zyrat e eksportit
të pasurive kulturore të luajtshme, në përputhje me parashikimet e këtij ligji për:
a) Regjistrimin on-line të pasurive kulturore kombëtare dhe çdo procedure për identifikim dhe
regjistrim;
b) Zbatimin dhe monitorimin e procedurave të eksportit për qarkullimin kombëtar e
ndërkombëtar, të certifikuar, të pasurive kulturore të luajtshme, në bashkëpunim me institucionet doganore
dhe Policinë e Shtetit.

Në përmbushje të funksioneve të veta, IKRKT-ja mbledh tarifat sipas parashikimeve të
përcaktuara nga udhëzimi i përbashkët i ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore dhe ministrit përgjegjës për financat.

IKRTK-ja funksionon në bazë të përcaktimeve të këtij ligji dhe statutit të miratuar me urdhër të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore.

IKRTK 2023