HISTORIK

Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore

Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore është krijuar me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 142 datë 27.03.1995 “Për krijimin e QKIPK”, si një projekt me donacion fillestar të Bankës Botërore në vitin 1995.

Vitet 1995 – 1998 shërbyen vetëm si fazë eksperimentale në kartelizimin dhe katalogimin e trashëgimisë kulturore sepse infrastruktura e ngritur kishte baza teknike të nivelit të ulët, pa kapacitetet e nevojshme për regjistrimin e të dhënave në mënyrë dixhitale dhe ishte i vështirë sigurimi i katalogimit bashkëkohor të të dhënave dhe shfrytëzimin e tyre për qëllime identifikimi, menaxhimi dhe studimi. Meqënëse mungonte përvoja për kartelizimin dhe katalogimin informatik të objekteve të trashëgimisë u hartua kartela tip, e cila me vonë u përmirësua, duke shtuar tregues të tjerë shkencorë.

Në vitin 1999 u realizua rinovimi i bazës teknike e teknologjike me fondet e buxhetit të shtetit dhe u krijua Programi softuerik “Onufri”. Një grup specialistësh italianë mundësuan trajnimin e punonjësve të institucioneve kombëtare e lokale, që merreshin me mbrojtjen dhe administrimin e trashëgimisë kulturore. Në vitin 2002 u bë kalimi i të dhënave në bazën e re të të dhënave, bazë e cila është azhornuar disa herë duke i shtuar funksionalitetet e nevojshme në zbatim të ligjit dhe të mirëadministrimit të pasurive kulturore shqiptare.

Me ligjin nr. 27/2018 “Për Trashëgimine Kulturore dhe Muzetë”, i ndryshuar, QKIPK, në bazë të nenit 32, u transformua ne Institutin Kombetar te Regjistrimit te Trashegimise Kulturore, si institucion kombëtar i specializuar i trashëgimisë kulturore në varësi të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore.