IKRTK - INSTITUTI KOMBËTAR I REGJISTRIMIT TË TRASHËGIMISË KULTURORE

Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore është krijuar me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 142 datë 27.03.1995 “Për krijimin e QKIPK”, si një projekt me donacion fillestar të Bankës Botërore në vitin 1995 me një strukturë prej 6 punonjësish.

Vitet 1995 – 1998 shërbyen vetëm si fazë eksperimentale në kartelizimin dhe katalogimin e trashëgimisë kulturore sepse infrastruktura e ngritur kishte baza teknike të nivelit të ulët, pa kapacitetet e nevojshme për regjistrimin e të dhënave në mënyrë dixhitale dhe ishte i vështirë sigurimi i katalogimit bashkëkohor të të dhënave dhe shfrytëzimin e tyre për qëllime identifikimi, menaxhimi dhe studimi. Meqënëse mungonte përvoja për kartelizimin dhe katalogimin informatik të objekteve të trashëgimisë u hartua kartela tip, e cila me vonë u përmirësua, duke shtuar tregues të tjerë shkencorë.

Në vitin 1999 u realizua rinovimi i bazës teknike e teknologjike me fondet e buxhetit të shtetit dhe u krijua softi i ri “Onufri”. Një grup specialistësh italianë mundësuan trajnimin e punonjësve të institucioneve kombëtare e lokale, që merreshin me mbrojtjen dhe administrimin e trashëgimisë kulturore.

Në vitin 2001 filloi eksperimentimi i softit të ri dhe në vitin 2002 u bë kalimi i të dhënave në bazën e re të të dhënave, bazë e cila është azhornuar disa herë duke i shtuar funksionalitetet e nevojshme në zbatim të ligjit dhe të mirëadministrimit të pasurive kulturore shqiptare.

Në vitin 2013 në QKIKP u shtua një sektor i ri, Sektori i Botimeve i cili kishte për qëllim studimin dhe botimin e artikujve në lidhje me pasuritë kulturore shqiptare, si një mënyrë promovimi kombëtare dhe ndërkombëtare.

Sot QKIPK funksionon me një strukturë prej 10 punonjësish të pozicionuar në dy sektorë, Sektori i Inventarizimit dhe Katalogimit të Pasurive Kulturore & Botimeve dhe Sektori i Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse, por misioni i saj është një i vetëm:

“Katalogimi informatik (dokumentimin sipas kritereve shkencore) i trashëgimisë kulturore të popullit shqiptar, mbikëqyrja dhe monitorimi i respektimit të të drejtave të pronësisë dhe të lëvizjes, me qëllim identifikimin, studimin, botimin dhe promovimin, ruajtjen dhe administrimin e databazës kombëtare të pasurive kulturore për parandalimin e eksportimit të paligjshëm të pasurive kulturore private dhe publike të cilat shkaktojnë një varfërim të trashëgimisë kulturore kombëtare”.

QKIPK 2015